Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë bërë sot inaugurimin e çerdhes në Fushë Kosovë, si dhe kanë vënë gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët në këtë komunë.
Çerdhja e re është investim i MAShTI-t në vlerë 415,659.59 euro, me sipërfaqe prej 756.50 m², ka kapacitet për 60 fëmijë dhe është realizuar brenda afatit prej 24 muajsh. Çerdhja është pajisur me paisje sportive, laboratorike, pajisje mirëmbajtjeje dhe pajisje për çerdhe në vlerë prej 61,000 euro.
Në vazhdim të vizitës, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci kanë vendosur gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët në Fushë Kosovë, një investim madhor i MAShTI-t prej 3,883,383.83 euro, me sipërfaqe mbi 8000 m² dhe afat ndërtimi prej 36 muajsh.
Kryeministri Kurti, theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për komunitetin, si pjesë e përkushtimit për krijimin e kushteve moderne për mësim.
“Çerdhja dhe shkolla e re në Fushë Kosovë janë investime që garantojnë të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Me kushte më të mira për mësim dhe edukim, po ndërtojmë themelet e një shoqërie më të drejtë dhe më të zhvilluar”, është shprehur kryeministri Kurti.
Ndërsa, ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, theksoi përkushtimin e MAShTI-t për të rritur cilësinë e arsimit dhe përkujdesjes për fëmijët. Ajo theksoi se, këto investime janë një hap i rëndësishëm në përmbushjen e premtimeve tona për infrastrukturë moderne arsimore.
“Fëmijët e Fushë Kosovës do të kenë kushte të denja për mësim dhe edukim, ndërsa ne do të vazhdojmë me investime të tjera të ngjashme në gjithë vendin”, ka thënë ministrja Nagavci.
Në total, investimet në arsim në Fushë Kosovë gjatë këtij mandati qeverisës arrijnë vlerën prej 5,682,129.80 euro, duke përfshirë çerdhen, shkollën fillore dhe pajisjet e nevojshme për funksionalizimin e tyre.

Last modified: 29 Gusht, 2025