Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në hapjen e edicionit të 43-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar dhe si organizëm i gjallë që ruan kujtesën, subjektivitetin dhe imagjinatën njerëzore. Ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të mbështetur nismat që promovojnë dhe forcojnë gjuhën shqipe, si olimpiadat e gjuhës dhe seminaret kushtuar diasporës.
Kryeministri në detyrë, Kurti, falënderoi Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në organizimin e këtij Seminari, duke theksuar se ngjarje të tilla jo vetëm që afirmojnë rëndësinë e gjuhës dhe kulturës sonë, por gjithashtu kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar në një kontekst ndërkombëtar.
Seminari i 43-të do të zhvillojë sesione të shumta shkencore dhe kulturore, duke i kushtuar vëmendje gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë shqiptare, si dhe do të shërbejë si platformë për projekte e marrëveshje të reja akademike. Këtë vit marrin pjesë mbi 150 studiues vendës dhe ndërkombëtarë.

Last modified: 19 Gusht, 2025