Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Qendrën Burimore “Përparimi” në Prishtinë, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të MASHTI-it për zhvillimin dhe fuqizimin e shërbimeve arsimore për fëmijët dhe nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.
Gjatë vizitës, ministrja Nagavci u takua me stafin menaxhues dhe grupet e reja që po ndjekin kualifikimin për asistentë duke vlerësuar punën e palodhshme dhe përkushtimin e tyre në ofrimin e një arsimi gjithëpërfshirës e cilësor.
Ministrja theksoi rëndësinë e kualifikimit të nivelit të pestë “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore”, që po zbatohet me sukses në gjithë Kosovën, përfshirë edhe në qendrat burimore si degë të Qendrës së Kompetencës në Ferizaj. Ajo theksoi se ky program, i zhvilluar në partneritet me organizatën ndërkombëtare Pearson dhe projektin LuxDev, është një storie suksesi për sistemin arsimor të Kosovës.

“Ky kualifikim i ri është një hap i madh drejt barazisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim. Jam e lumtur që gjithnjë më shumë të rinj dhe të reja po trajnohen për të qenë pranë fëmijëve me nevoja të veçanta, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe edukimit të tyre,” u shpreh ministrja Nagavci.
Ajo shtoi se Ministria do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kualifikimeve të reja dhe të nevojshme për tregun e punës, me fokus të veçantë në fushën e arsimit gjithëpërfshirës.
Në kuadër të këtij programi, janë diplomuar 480 kandidatë, ndërsa gjenerata e shtatë me 270 kandidatë është në përfundim të kualifikimit, duke e çuar numrin total të të diplomuarve në 750. Kandidatët për këtë program vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës, çka garanton ofrimin e shërbimeve për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore në çdo cep të vendit.

Last modified: 31 Korrik, 2025