Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) reagon ndaj shkrimit të publikuar më 11 korrik 2025 nga Gazeta Nacionale, me titull “Paratë e shtetit në pluhur, kjo është gjendja e veturave të MASHTI”, i cili përmban informacione të pasakta dhe të njëanshme, që mund të krijojnë perceptim të gabuar në opinionin publik.
MAShTI thekson se materiali filmik i publikuar nuk pasqyron në mënyrë reale gjendjen faktike të automjeteve në pronësi të Ministrisë. Një pjesë e veturave të shfaqura në video janë siguruar ndër vite përmes donacioneve ndërkombëtare, dhe megjithëse disa prej tyre janë përdorur për një periudhë të gjatë, ato vazhdojnë të jenë funksionale dhe përmbushin nevojat operacionale të Ministrisë, veçanërisht në aktivitetet që zhvillohen në terren.
Për më tepër, dëshirojmë të nënvizojmë se automjeti me targa 3Z-748-09, i paraqitur në video, nuk është dhe as nuk ka qenë ndonjëherë në pronësi të MAShTI-të, dhe përfshirja e tij në raportim është e pabazë dhe dezinformuese.
Aktualisht, veturat që janë në dispozicion të MAShTI shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe të planifikuar, në funksion të realizimit të misionit të institucionit. Këtë vit, të njëjtat vetura janë përdorur në mënyrë të suksesshme në administrimin e Provimit të Maturës Shtetërore dhe Testit të Arritshmërisë, duke dëshmuar funksionalitetin dhe mirëmbajtjen e tyre të rregullt.
Sa i përket tri veturave që shfaqen në video dhe që aktualisht nuk janë në përdorim, sqarojmë se ato janë nga viti 2002 dhe janë të çregjistruara dhe të evidentuara si jashtë funksionit. Për këto mjete është në proces zbatimi procedura ligjore për largimin e tyre sipas rregullores përkatëse dhe legjislacionit në fuqi.
MAShTI rikujton se menaxhimi i pasurisë publike, përfshirë njësinë e transportit, realizohet në përputhje me standardet ligjore dhe procedurat financiare të kontrolluara rregullisht nga mekanizmat përkatës të brendshëm dhe të jashtëm.
Last modified: 12 Korrik, 2025