MASHT

MAShTI vazhdon mbështetjen për nxënësit e komuniteteve dhe nxënësit me talente të veçanta

10 Korrik, 2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka nënshkruar kontratat me organizatat përfituese të mbështetjes financiare për vitin 2025, në kuadër të mbështetjes institucionale për Qendrat Mësimore dhe organizatat joqeveritare (OJQ) që veprojnë në fushën e arsimit.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, dhe Sekretarja e Përgjithshme e MAShTI, Fadile Dyla, të cilat i përgëzuan përfituesit për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në mbështetjen e arsimit gjithëpërfshirës në vendin tonë.

Këtë vit, mbështetje financiare nga MAShTI kanë përfituar gjithsej 19 organizata: 8 organizata që ofrojnë programe për nxënës me inteligjencë të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti; 11 organizata të cilat menaxhojnë gjithsej 34 qendra mësimore, që përfshijnë 2,011 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Ministrja Nagavci theksoi se kjo mbështetje është një dëshmi e përkushtimit të MAShTI për të forcuar mundësitë dhe resurset e organizatave që kontribuojnë në cilësinë dhe gjithëpërfshirjen në arsim.

“Që nga viti 2021, kur filloi ndarja e këtyre subvencioneve, kemi parë rritje të vazhdueshme të numrit të përfituesve. Disa organizata janë përfituese tashmë për të katërtën apo të pestën herë, çka flet për besimin e ndërsjellë dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre. Do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për të siguruar qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët në Republikën e Kosovës, pa dallim etnie, statusi social apo regjion,” u shpreh Ministrja Nagavci.

Ndërkaq, Sekretarja e Përgjithshme, znj. Fadile Dyla, falënderoi përfituesit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i uroi për suksesin në implementimin e projekteve të planifikuara për vitin 2025.

“Kjo skemë e mbështetjes financiare tashmë është kthyer në një praktikë të mirë të bashkëpunimit ndërmjet MAShTI dhe shoqërisë civile. Ne do të vazhdojmë të mbështesim projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e potencialit të fëmijëve tanë,” tha Dyla.

MAShTI do të vazhdojë të forcojë partneritetin me organizatat joqeveritare për të kontribuar në zhvillimin e një sistemi arsimor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë nxënësit në vend.

Last modified: 10 Korrik, 2025