MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë e thirrjes për aplikim në Programin për Transformimin e Lidershipit

17 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, drejtori i USAID-it për Kosovë, z. James Hope dhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, z. Ramadan Zejnullahu, morën pjesë në ceremoninë e thirrjes për aplikim për gjeneratën e fundit të studentëve të interesuar që të aplikojnë në Programin për Transformimin e Lidershipit – Bursat dhe Partneritetet (TLP- SP), për studime master në universitetet amerikane.

Ministri Bajrami, me këtë rast thesoi se, Programi i Lidershipit Transformues është programi më i madh që po përfiton Kosova me ndihmën e USAID-it. “Ky program është shumë i rëndësishëm për të rinjtë tanë, një mundësi shumë e mirë për të ndjekur studimet në arsimin e lartë amerikan dhe për të kontribuar pastaj në Kosovë në proceset e zhvillimit. Ky program vërtetë sjellë liderë të transformuar në Kosovë, liderë të cilët do të transformojnë Kosovën në proceset, të cilat e presin”

Ministri Bajrami, po ashtu, tha se përfituesit e kësaj mundësie të studimit në universitetet amerikane, pasi të përfundojnë studimet, duhet të kthehen në Kosovë për të kontribuar në ngritjen e cilësisë së mësimit në Kosovë.

Drejtori i USAID-it për Kosovë, z. James Hope, tha se ndjehet i nderuar që të lansojë thirrjen për studime master në kuadër të Programit për Lidership Transformues, ku në kuadër të këtij programi, deri më tani, mbi 135 të rinjë kanë fituar të drejtën për të studiuar.

Në këtë Program që bashkëfinancohet nga MAShT dhe USAID, bursa të plota do të ndahen për studentët që do të ndjekin studimet në fushat: Sundimi i Ligjit, Administratë Publike, Inxhinieri, Bujqësi, Menaxhim Biznesi, Financa, Ekonomi, Sistemet e Informacionit, Edukim, Studime gjinore dhe ndërdisiplinore.

Last modified: 29 Gusht, 2022