MASHT

144,337 aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova

21 Gusht, 2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton opinionin publik se, brenda gjashtë ditëve të para nga hapja e sistemit për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore, përmes platformës e-Kosova, janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime.

Deri më tani, janë trajtuar (verifikuar) 73,064 aplikime, duke reflektuar një angazhim dhe efikasitet të lartë në menaxhimin e procesit. Procesi po zhvillohet pa ndonjë pengesë të evidentuar.

Ministria e Arsimit konfirmon se deri në këtë fazë nuk është pranuar asnjë ankesë nga ana e prindërve, gjë që dëshmon për funksionalitetin dhe transparencën e lartë të sistemit.

Ky proces po realizohet me sukses në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Gjithashtu, verifikimi i aplikimeve nga koordinatorët e caktuar nëpër shkolla është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe të organizuar.

Ministria e Arsimit inkurajon të gjithë prindërit që nuk kanë kanë aplikuar ende për fëmijët e tyre, të përfitojnë nga kjo mundësi përmes platformës e-Kosova.

Last modified: 22 Gusht, 2025