MASHT

Zv/ministrja Statovci Demaj priti një grup deputetësh të Austrisë

21 Janar, 2016

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Anila Statovci Demaj dhe zyrtarë të lartë të MAShT kanë mbajtur sot një takim me disa deputetë të Austrisë, të kryesuar nga Christoph Vavrik, e të shoqëruar nga  ambasadori Gernot Pfandler, të cilët këto ditë po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë.

Gjatë këtij takimi është biseduar për gjendjen aktuale në arsim, me theks të veçantë në arsimin e lartë, cilësinë dhe qeverisjen, si dhe rishikimin e aktiviteteve e projketeve austriake në sektorin e arsimit në Kosovë.

Fillimisht, zëvendësministrja Statovci Demaj e ka falënderuar Qeverinë austriake për mbështetjen e vazhdueshme për proceset e arsimit, si dhe për krijimin e mundësive për të rinjtë tanë që të shkollohen në universitetet austriake dhe të arrijnë rezultate të larta në fusha të ndryshme. 

Duke folur për sfidat, zv/ministrja Statovci Demaj tha se sfida kryesore është sigurimi i cilësisë në arsim, që është edhe qëllimi kryesor i MAShT gjatë këtij mandati qeverisës. Ajo theksoi se në këtë drejtim është filluar nga sistemi parauniversitar dhe aty mësimdhënësi është personi kyç, sepse ai do të sigurojë një mësimdhënie të duhur. 

“Por, tani po ballafaqohemi edhe me ndërrimin e formës së mësimnxënies në këto kushte globale dhe në këtë drejtim tentojmë të sjellim risi në digjitalizimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies”, tha ajo dhe foli për disa projekte në këtë drejtim prej të cilave tashmë kemi rezultatet e para, ndërsa përmendi edhe  digjitalizimin e Maturës.

Sa i përket arsimit universitar, zv/ministrja Statovci Demaj përmendi Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili pret miratimin nga Kuvendi i Kosovës dhe i cili ka për qëllim të sigurojë rend dhe cilësi në këtë nivel të arsimit. 

Zv/ministrja u ndal edhe te arsimi profesional dhe tha se këtij segmenti të arsimit po i kushtohet vëmendje e veçantë. 

Ndërsa, deputeti austriak, z.Christoph Vavrik, tha se  vendi i tij interesohet për zhvillimet në sferën e arsimit në Kosovë ku me projekte te ndryshme edhe kemi dhënë kontributin tonë . 
   „ Por , në arsim asnjëherë nuk mund të themi se i kemi bërë të gjtha, gjithmonë ka nevojë dhe mudësi për risi dhe ndryshime që vijnë si nevojë e trendeve zhvillimore„, tha z. Vavrik , i cili  shtoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë edhe më tutje proceset arsimore në Kosovë. 

Last modified: 30 Gusht, 2022