MASHT

ZV/MINISTRJA MALOKU BËRDYNA MORI PJESË NË SHËNIMIN E JAVËS NDËRKOMBËTARE TË NJERIUT ME SHKOP TË BARDHË

15 Tetor, 2021

15 Tetor 2021

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, ka marrë pjesë në konferencën me rastin e Javës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë “Braille është mundësi, jo imagjinatë”, të organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të mirë – Zyra e Kryeminstrit, e cila është kryesuar nga zv/kryeministrja e Kosovës, Emilia Redzepi.

Zv/ministrja Maloku Bërdyna, me këtë rast tha se, arsimi  gjithëpërfshirës është pjesë e politikave të MAShTI-t dhe si i tillë garanton  të drejtën për  arsim për të gjithë fëmijët dhe nxënësit pa marrë parasysh gjendjen e tyre fizike, sociale, intelektuale, gjuhësore, etj.

Ajo theksoi se krahas zhvillimit të politikave, jemi të përkushtuar të punojmë në zbatimin e tyre në praktikë dhe që nxënësit me aftësi të kufizuara të  edukohen dhe arsimohen në ambiente gjithëpërfshirëse të cilat garantojnë zhvillim, socializim dhe arsimim të tyre.

Zv/ministrja Maloku Bërdyna tha se Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë na  vetëdijeson që  ne të analizojmë se çfarë kemi bërë për personat e verbër, me dëmtime në shikim dhe çfarë duhet të bëjmë  që kjo pjesë e popullatës të jetë e barabartë në shoqërinë tonë.

Në këtë drejtim, Zv/ministrja theksoi se po punohet në fuqizimin e Qendrës Burimore për nxënësit e verbër dhe me shikim të dëmtuar “Xheladin Deda”si qendër e vetme në Kosovë që të ofrojë shërbime, mbështetje profesionale dhe pedagogjike për të gjithë fëmijët/nxënësit e verbër dhe me dëmtime në shikim kudo që janë në institucione arsimore.

Ndër të tjera, ajo theksoi se një kujdes të veçantë do t’i kushtojmë investimit në fëmijërinë e hershme, ndërsa tha se akreditimi i shkrimit Brail, i cili është në proces, është një tjetër prioritetet i MAShTI-t.

Zv/ministrja Maloku Bërdyna tha se MAShTI në këtë rrugëtim ka pasur dhe ka  bashkëpunim dhe mbështetjen e shumë partnerëve ndërkombëtarë, si dhe të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar.

Java Ndërkombëtare e Njeriut me Shkop të Bardhë shënohet me qëllim që të verbërit të përmbledhin sfidat dhe arritjet gjatë vitit.

Last modified: 7 Qershor, 2022