Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti mori pjesë në ceremoninë e renovimit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Jeronim de Rada”, në Ferizaj, me ç’rast ka vlerësuar ndihmën e qeverisë amerikane në rregullimin e hapësirave shkollore dhe përmirësimin e kushteve në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Zv/ ministri Sahiti tha se, ndjehet mirë me pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni përuruese të ambienteve të shkollës “Jeronim de Rada”, e cila është në vazhdën e krijimit të kushteve më të mira në shkollat e Republikës së Kosovës.
“Tashmë kemi një shkollë me ambient të këndshëm dhe të përshtatshëm për zhvillimin e procesit mësimor. Uroj që ju, nxënës të dashur, të mësoni sa më shumë dhe të vlerësoni historinë e vendit tonë, sepse duke e dashur librin dhe mësimdhënësit do të ndërtoni një të ardhme të ndritur për ju dhe brezat që vijnë”, është shprehur zv/ministri Sahiti.
Zv/ministri Sahiti ka falënderuar Zyrën për Bashkëpunim në Mbrojtje të Ambasadës Amerikane për kontributin financiar në renovimin e kësaj shkolle dhe gatishmërinë e vazhdueshme për të ndihmuar në realizmin e projekteve të rëndësishme në fushën e arsimit.
Në ceremoni të pranishëm edhe ishin kryetari i Ferizajt në detyrë, Muharrem Sfarqa dhe përfaqësues të ambasadës amerikane. Në kuadër të programit për ndihma humanitare të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, Zyra për Bashkëpunim në Mbrojtje e Ambasadës Amerikane në Prishtinë ka investuar në renovimin e disa shkollave të Republikës së Kosovës. Renovimi i Shkollës “Jeronim De Rada” në Ferizaj ka përfunduar në shtator të këtij viti.
Last modified: 25 Gusht, 2022