MASHT

ZV/MINISTRI SAHITI MORI PJESË NË KONFERENCËN “MUNDËSI TË BARABARTA PËR TË GJITHË“

26 Nëntor, 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, mori pjesë në konferencën “Mundësi të barabarta për të gjithë“, e organizuar në kuadër të “Javës kundër braktisjes së shkollimit”, e që ka për qëllim prezantimin e veprimtarive të deritashme, si dhe prezantimin e raportit të projektit ERAC, i cili së bashku me partnerë tjerë mbështetë aktivitetet e MAShT në këtë drejtim.

Punimet ë kësaj konference i përshëndeti në emër të ministrit Bytyqi, zëvendësministri Heset Sahiti, i cili me këtë rast, tha se MAShT promovon të drejtën e arsimit për të gjithë.

Zv/ministri Sahiti tha se, MAShT nuk është vetëm në këtë angazhim, por punon së bashku me partnerët e përhershëm si, UNICEF, ECMI, (Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve) OSBE, GIZ, etj, të cilët i falënderoi për angazhimet në këtë drejtim.

“Politikat tona arsimore janë gjithëpërfshirëse dhe angazhohemi të ofrojmë një arsim cilësor ashtu që të gjithë fëmijët/të rinjtë, qytetarët e Republikës së Kosovës të arsimohen. Puna jonë është konform kësaj, prandaj edhe e kemi vëmendjen e shtuar në trajtimin e problemit të braktisjes së shkollimit”, tha zv/ministri i Arsimit.

Zv/ministri Sahiti tha se janë krijuar mekanizma në MAShT, në nivel të komunave dhe të shkollave, ndërsa kërkoi një përkushtim dhe funksionim të plotë, në mënyrë që të ketë efikasitet në veprimet insitucionale për  parandalim e mosregjistrimit dhe të braktisjes së shkollës.  

Sipas statistikave që posedon MAShT, të cilat i përmendi edhe zv/ministri Sahiti, këtë vit është 0.09 % braktisja në arsimin e obliguar, në krahasim me vitin e kaluar që ishte  0.07 %.

“Arsimi është shtylla kryesore mbi të cilën zhvillohet e gjithë shoqëria, prandaj kërkojmë përkushtimin e  të gjithëve për avancimin e arsimit, që të ndikojnë të gjithë në rritjen e  cilësisë dhe të gjithëpërfshirjes në arsim”, tha në fund zv/ministri Sahiti. 

Last modified: 10 Qershor, 2022