MASHT

Zv/ministri Sahiti mori pjesë në Konferencën “Arsim për të ardhmen”

26 Prill, 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti mori pjesë në konferencën dy ditore “Arsim për të ardhmen, Fuqizimi i bashkëpunimit në mes të institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës, Qeverisë dhe sektorit privat”, e organizuar nga KUSA ( Kosovo United States Alumni) dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Qëllimi kryesor i Konferencës ishte adresimi i mungesës së hallkës së bashkëpunimit në mes të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe ekonomisë, me fokus të veçantë zbutjes së dallimit në mes të njohurive, aftësive dhe kompetencave që institucionet e arsimit të lartë u ofrojnë studentëve dhe kërkesave të tregut të punës.

Zv/ministri Sahiti i cili foli për rëndësinë e kësaj Konference, tha se Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë rëndësi të veçantë i kushton rritjes së konkurrencës në arsimin e lartë, kjo përmes nxitjes së përsosmërisë në mësimdhënie, kërkimit shkencor, inovacionit dhe ndërkombëtarizmit të arsimit dhe shkencës.

“Përmes zhvillimit të dijes dhe aftësive, si dhe duke nxitur inovacionin, mendimin kritik, tolerancën  dhe mendjen e hapur, institucionet e arsimit të lartë i përgatisin qytetarët për rolin e tyre në shoqëri dhe ekonomi”, ka thënë zv/ministri Sahiti.

Zv/ministri Sahiti theksoi se, arsimi i lartë duhet ti paraprijë ndryshimeve në tregun e punës  dhe në zhvillimin e vendit, andaj edhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi i Qeverisë me partnerët zhvillimor dhe sektorin privat.

Last modified: 23 Gusht, 2022