MASHT

Zv/ministri Baldzi në ceremoninë e ndarjes së bursave për nxënësit e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë

11 Nëntor, 2014

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Usmen Baldzi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së 500 bursave për nxënësit e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë për vitin shkollor 2014/2015 .

Projekti i ndarjes së bursave është nga mjetet financiare të MAShT-it, në bashkëpunim me Roma Education Fond (REF) nga Budapesti ( 260 bursa), si dhe OJQ , VoRAE, fondacioni “HEKS”, Zvicër, Ambasadat e Anglisë, Norvegjisë dhe të Zvicrës në Kosovë (240 bursa).

Zëvendësministri i Arsimit për Komunitete, Usmen Baldzi, tha se Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të ofrojë kushte mësimi për të gjithë të rinjtë që jetojnë në Kosovë, ndërsa ndarja e bursave për 500 nxënësit e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë është vetëm një nga sukseset që po shënohen në këtë drejtim.

“Objektivat tona për integrimin dhe edukimin e nxënësve të Komunitetit romë, ashkali dhe egjiptianë, janë të bazuara edhe në Strategjinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom shkali dhe egjiptianë 2009-2015 dhe po realizohen me sukses në mbështetjen e vazhdueshme të komuniteti ndërkombëtar”, tha Baldzi. 

“Jam i bindur që Kosova është shembull për rajonin, por edhe më gjerë sa i përket motivimit dhe ofrimit të mundësive për shkollim, përfshirë këtu edhe fëmijët e komuniteteve”, theksoi Baldzi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe shkëlqesia e tij, ambasadori i Norvegjisë z. Jan Braathu, i cili, ndër të tjera, tha se arsimimi i gjeneratave të reja pavarësisht përkatësisë kombëtare është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe çdo shoqëri moderne.

Last modified: 30 Gusht, 2022