Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna priti në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, e shoqëruar nga Granit Almong-Bareket nga Universiteti Ben-Gurion i Negevit.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, në të gjitha nivelet.
Zëvendësministrja Maloku Bërdyna ka folur për gjendjen e përgjithshme në arsim dhe për politikat prioritare të Qeverisë, me ç’rast është shprehur e kënaqur që Kosova dhe Izraeli po hapin rrugën e gjerë të bashkëpunimit në arsim.
Nga ana e saj ambasadorja Ziv e falenderoi zëvendësministren për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e saj për ndarjen e përvojave më të mira në këtë fushë.
Gjatë ditës, Maloku Bërdyna e shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Arsimit, së bashku me delegacionin nga Izraeli bënë një vizitë në Sh.F.M.U “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me qëllim që të shohin për së afërmi kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor në vendin tonë.
Zëvendësministrja ka falënderuar menaxhmentin e shkollës për pritjen miqësore dhe prezantimin e mirë para delegacionit izraelitas, duke shtuar se, ky është vetëm fillimi i shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit Kosovë-Izrael.
Ambasadorja Ziv u shpreh e impresionuar me interesimin e nxënësve për mësimnxënie, ndërsa theksoi se, përkundër sfidave reflektohet qartë energjia e stafit mësimdhënës në këtë shkollë.
Last modified: 27 Tetor, 2022