Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Edona Maloku Bërdyna në konferencën e rregullt për media ka folur për punët dhe aktivitetet që janë realizuar gjatë muajit mars nga Ministria e Arsimit, si dhe ato të cilat janë duke u punuar aktualisht.
Protokolli Kosovë-Shqipëri është vlerësuar si një projekt madhor dhe për këtë Maloku Bërdyna ka thënë se, projekti “Enciklopedia Shqiptare” do të zbatohet nga Akademitë e Shkencave të dy vendeve tona.
Në lidhje me tekstet e përbashkëta për Diasporën është bërë e ditur se, Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore ka shpallë thirrje për aplikim në konkursin e teksteve mësimore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli II, dhe “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli III.
Zëvendësministrja Maloku Bërdyna ka folur edhe për fushatën sensibilizuese kundër dhunës në shkolla, me moton “Të gjithë së bashku për shkollën miqësore” ku tha se, gjatë këtyre javëve janë organizuar aktivitete të shumta në shkolla.
Sa i përket zgjerimit të infrastrukturës fizike, Maloku Bërdyna ka përmendur vënien e gurthemelit të shkollës fillore të mesme të ulët “Fan S.Noli” në Kamenicë, hapjen e tenderit për ndërtimin edhe të 3 çerdheve të reja, në Batllavë të Podujevës, Fushë Kosovë dhe në Godanc të Shtimes, përurimin e Qendrës së Karrierës në Podujevë dhe inaugurimin e punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetëncës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Po ashtu, Maloku Bërdyna ka folur edhe për Marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Ministrisë dhe Fakultetit të Edukimit, me ç’rast ka thënë se synon implementimin e aktiviteteve të përbashkëta në formën e kombinimit të zhvillimit profesional të personelit të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe hulumtimit shkencor në fushat përkatëse.
Ndër të tjera, në këtë konferencë është folur edhe për ratifikimin e marrëveshjes për bursa me Ambasadën e Francës, themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit-IBCM, në Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut, si dhe marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet MAShTI dhe Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar.
Last modified: 31 Mars, 2023