Zëvendësministrja e arsimit, Edona Maloku Bërdyna e shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi dhe këshilltari për arsim parauniversitar, z. Fatos Osmani, janë pritur nga sekretari i shtetit së Ministrisë së Arsimit në Stockholm z. David Lindberg gjatë vizitës zyrtare në Suedi.
Takimi bilateral u fokusua në diskutime mbi bashkëpunimin në fushën e Edukimit në Fëmijërinë e Hershme. Palët diskutuan mbi përfshirjen e fëmijëve në këtë nivel të arsimit, iniciativat në nivel nacional e lokal për rritjen dhe promovimin e pjesëmarrjes në EFH dhe barazinë në qasje.
Palët gjithashtu ndanë eskperiencat dhe sfidat e tyre, duke prezantuar të rejat në nivel kombëtar. Zëvendësministrja njoftoi homologun e saj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka prioritizuar reformën dhe investimin substancial në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.
Ligji i ri për edukimin në fëmijërinë e hershme, kurrikula e re për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe komiteti këshilldhënës si forum ekspertësh për këtë nivel janë disa nga zhvillimet kryesore që do të përmirësojnë cilësinë në edukimin hershëm. Kjo bëhet paralelisht me përmirësimin substancial të infrastrukturës fizike në vend që rritë përfshirjen e fëmijëve në këtë nivel.
Homologët nga Stockholm, prezantuan sistemin organizativ të institucioneve parashkollore dhe përgjegjësitë në nivelin kombëtar e lokal, duke theksuar pjesëmarrjen e lartë të fëmijëve në EFH në Suedi dhe politikat e ndjekura për ta arritur këtë nivel të përfshirjes.
Zëvendësministrja falënderoi homologët për shtetin suedez që ofron mësimin në gjuhën shqipe për Diasporën tonë dhe kontributin e vazhdueshëm që Agjensioni Suedez i Zhvillimit ofron në Kosovë. Palët u dakorduan që, si shtete mike, ky takim të shërbejë si forcim i bashkëpunimit në EFH dhe në arsim, në përgjithësi.
Last modified: 20 Mars, 2023