Zëvendësministi i Ministrisë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, z.Nehat Mustafa, realizoi një vizitë pune në Mynih të Gjermanisë, me ftesë të Fondacionit për Avancim të Arsimit Profesional “Heimerer”.
Temë e takimit mes z.Mustafa dhe përfaqësuesve të Institucionit Heimerer, znj.Heimerer nga Bordi udhëheqës i Fondit Heimerer, znj.Winklmayer, udhëheqëse e Programeve të arsimit të Lartë të Institucionit Heimerer, znj.Dongoros, drejtoreshë e Shkollës Profesionale Heimerer në Mynih, ishte avancimi i reformës së Arsimit Profesional në Kosovë dhe standardizimet përkitazi legjislacionit të Bashkësisë Evropiane. Pas një diskutimi intensiv lidhur me situatën aktuale të arsimit profesional në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky segment i arsimit, u diskutuan edhe format e mundshme të kooperimit me institucionet arsimore dhe profesionale në Gjermani, mundësia e organizimit të trajnimeve specifike të mësimdhënies, shkëmbimit të personelit arsimor dhe mundësisë së organizimit të vendpraktikave në Gjermani.
Pas takimit, z.Mustafa vizitoi një nga hapësirat e këtij institucioni arsimor në këtë qytet. Themeluesi i këtij Fondacioni është “Heimerer schulen GmbH”, një institucion i Arsimit profesional me 11 qendra arsimore në Gjermani dhe një përvojë mbi 30 vjeçare në arsimin profesional në këtv shtet. Ky institucion arsimor nga viti 2010 ka themeluar gjithashtu një institucion të arsimit të lartë në Kosovë.
Zëvendësministri Mustafa takoi edhe Shoqërinë e Akademikëve Shqiptar “DIJA” sh.r. Kjo shoqëri e regjistruar këtë vit tek organet përkatëse gjermane, mbledh në gjirin e saj një forum ekspertësh shqiptarë, kryesisht me qëndrim në Gjermani. Qëllim parësor i kësaj shoqërie është: Transferi i dijes dhe avancimi i Arsimit të Lartë përmes kooperimit me shtetet e evropës së bashkuar.
Kryetari i kësaj Shoqërie Eshref Januzaj e informoi z. Mustafa për formën e organizimit të Shoqërisë dhe synimet e saj. Një fokus i veçantë gjatë takimit u vu në formën e bashkëpunimit të kësaj shoqërie me MAShT-in dhe institucionet e tjera relevante në Kosovë, ndërkaq u dakordua për përpilimin e përbashkët të një memorandumi bashkëpunimi si hap të parë dhe puna e përbashkët në gjetjen e formave më të favorshme për bashkëpunim.
Në veçanti u diskutuan dy projekte aktuale: Korniza e modelit të mësimit plotësues për fëmijët shqiptar në shkollat gjermane dhe themelimi i rrjetit për avancimin e transferit të dijes dhe koperimin në arsimin e lartë.
Last modified: 29 Gusht, 2022