MASHT

Zëvendësministri Kelmendi diskutoi me nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” dhe “Xhemail Mustafa” në Prishtinë

13 Tetor, 2024

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi mori pjesë në tryezën e diskutimit me nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” dhe “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.

Në këtë tryezë diskutimi u prezantuan politikat e Ministrisë për mbështetjen dhe fuqizimin e vajzave në shoqëri.

Zëvendësministri Kelmendi shprehu gatishmërinë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme dhe kanë shprehur vullnetin që bashkërisht të diskutohet për të drejtat e vajzave, integrimin e vajzave në institucionet arsimore, integrimin e vajzave në secilën fushë jetësore dhe shtyrjen e limiteve që i ka shoqëria jonë.

Zëvendësministri Kelmendi gjithashtu the se, Ministria e Arsimit ka punuar në ndaljen e diskriminimit gjinor, po ashtu janë marrë hapa konkret në Kurrikulën e Arsimit, në Strategjinë e Arsimit, ligje dhe manuale, ku janë të specifikuara qartë se si vajzat dhe gratë në tërë shoqërinë tonë të kenë qasje dhe mundësi të barabartë, për të shprehur talentin, punën e tyre dhe të integrohen në vendimmarrje.

Kelmendi tutje tha se, Ministria e Arsimit ju ka ofruar mbështetje vajzave në drejtime teknike përmes subvencionimit të drejtpërdrejtë dhe mbështetjes me bursa, po ashtu në institucionet e arsimit të lartë për studentë ka ofruar mbështetje në bursa, ku gjithsej 4630 bursa janë dhënë për vajzat që studiojnë në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë.

Ndërsa, në fjalën e saj të rastit, zëvendësdrejtoresha e shkollës fillore “Faik Konica”, Kosovare Leci tha se, si shkollë janë munduar që politikat arsimore të paraqitura nga Ministria të zbatohen për barazinë gjinore, si dhe të mos ketë dallime tek asnjë nxënës. Po ashtu tha se janë të përkushtuar që të krijojnë një ambient të sigurt dhe të mundësojnë kushte sa më të mira që të gjithë të jenë të barabartë.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Vajzave synon të promovojë barazinë gjinore dhe të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat unike që vajzat përballen në mbarë botën.

Last modified: 13 Tetor, 2024