Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Usmen Baldži mori pjesë në panairin rajonal të Firmave Ushtrimore të mbajtur në Budvë të Malit të Zi. Ky panair u organizua nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit e Malit te Zi, kultur-kontakt Austria dhe Qendra e Firmave Ushtrimore e Malit të Zi.
Të pranishëm në këtë panair ishin shtetet si: Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria dhe Serbia.
Gjatë këtij panairi ka pasur edhe takime me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Austrisë, përkatësisht zyrës kryesore të kultur-kontakt Austria, të cilën e përfaqësonte znj. Monika Mott, me Ministritë e Arsimit të shteteve pjesëmarrëse dhe me Qendrat e Firmave Ushtrimore.
Në emër të Republikës së Kosovës, përkatësisht të MAShT-it foli zëvendësministri Usmen Baldži, i cili ndër të tjera përmendi sukseset e Qendrës kosovare të Firmave Ushtrimore, si dhe sfidat të cilat janë prezente, siç është statusi i qendrës, i cili ende është i pazgjidhur, por që shumë shpejt do të jetë pjesë e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional. Ndërsa, lënda Firmë Ushtrimore do të jetë në kurrikulin e lëndëve për shkollat ekonomike, pasi që hartimi i kurrikulit bazë ka përfunduar.
Zëvendësministri Baldži falënderoi për kontributin e dhënë gjatë viteve për themelimin dhe zhvillimin e Firmave Ushtrimore organizatave kultur-kontakt Austria, Sëisscontact dhe Danida. Ai po ashtu tha se, MAShT-i do të përpiqet maksimalisht që Qendra kosovare e Firmave Ushtrimore dhe Firmat Ushtrimore të zhvillohen edhe më tutje dhe që qëllimi është të bëhen pjesë e PEN-International Europen, që është qendra kryesore ndërkombëtare e Firmave Ushtrimore.
Në emër të Qendrës kosovare të Firmave Ushtrimore foli koordinatori, Veton Alihajdari, i cili tha se kemi 106 Firma Ushtrimore në këtë vit shkollor dhe kemi përfshirë të gjitha shkollat ekonomike, poashtu edhe 5 shkolla bujqësore. Botimi i doracakut “Aplikim Biznesi”, i cili shërben për Firmën Ushtrimore, certifikimi i cilësisë në Firmën Ushtrimore, i cili ka filluar në vitin 2010, që ka qenë i pari nga shtetet e rajonit, ishte ndër të arriturat e mëdha. Ndërsa, është bërë trajnimi dhe përgatitja e trajnerëve për trajnimin e mësimdhënësve në të ardhmen.
“Softverin bankar, e testuam dhe e vumë në jetë të parët nga shtetet e rajonit si me pagesa kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Ndrkaq, u përmendën edhe disa sfida, por edhe suksese të mëdha për të cilat Qendra e Firmave Ushtrimore ka marrë mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare.
Last modified: 29 Gusht, 2022