MASHT

UP LANSON PLANIN E VEPRIMIT PËR BARAZI GJINORE

11 Dhjetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e lansimit të Planit të Veprimit për Barazi Gjinore në Universitetin i Prishtinës, i cili ka për qëllim krijimin e një mjedisi ku të gjithë konsiderohen të barabartë dhe të vlerësuar.

Në emër të kryeministrit Kurti, ka shprehur përgëzime për punën e bërë ministrja Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se, pas miratimit të Statutit të UP-së, të cilit i është dhënë mbështetje, arritja të ky moment është një sukses i madh.

Ministrja Nagavci ka thënë se, si Qeveri jemi duke punuar për të ndërtuar një realitet të ri, ku gratë dhe vajzat do të inkurajohen për punë shkencore dhe akademike, andaj edhe janë marrë një varg masash në mënyrë që të zbutet pabarazia gjinore.

Në vazhdën e politikave arsimore të cilat nxisin barazinë gjinore, ministrja Nagavci ka përmendur ndarjen e bursave për tri vite radhazi për vajzat dhe gratë të studiojnë fushat STEM, 3 milionë euro të buxhetuara për rimbursimin e studentëve për vitin akademik 2023/2024 të cilat do të ndahen për disa kategori të studentëve etj.

Për rëndësinë e këtij dokumenti i cili synon krijimin e një ambienti të sigurt, jo vetëm sa i përket sigurisë fizike, por edhe sigurisë emocionale folën edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Last modified: 11 Dhjetor, 2023