MASHT

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon 48 vjetorin e themelimit

15 Shkurt, 2018

Me rastin e shënimit të 48 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u vlerësua lartë roli dhe rezistenca e UP-së, në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se, liria dhe shteti i Kosovës janë vlera të pandashme me Universitetin e Prishtinës.

“Ky Universitet që mbanë emrin e një atdhetari dhe intelektuali të madh siç ishte Hasan Prishtina, është emblemë e paqes dhe luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti, Hashim Thaçi, i cili foli edhe për rëndësinë e këtij institucioni në kohën kur Kosova po kalon në një periudhë tjetër të rëndësishme, atë të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit tonë.

Rektori i Universitetit” Hasan Prishtina”, Marjan Dema në emër të menaxhmentit, stafit akademik, stafit administrativ dhe studentëve, uroi 48 vjetorin e themelimit të Universitetit, duke thënë se, populli i Kosovës këto ditë është duke shënuar tri ngjarje madhore, 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe 48 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Rektori Dema ka folur për sukseset e Universitetit të Prishtinës, rezultatet të cilat po tregojnë studentët e UP-së edhe në arenën ndërkombëtare dhe sukseset e stafit akademik.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci tha se ceremonia e themelimit të 48 vjetorit të UP-së është një moment i veçantë për të kujtuar vullnetin, përkushtimin, sakrificën dhe angazhimin e një kombi të tërë për dije dhe edukim.

Zëvendësministri Geci, në emër të ministrit Bytyqi ka përcjellë urimet më të mira për këtë përvjetorë, i bindur që breza të tërë u flijuan për të ngritur dhe mbrojtur këtë institucion të dijes dhe shpresës.
“Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarja më e rëndësishme në sferën e edukimit dhe arsimimit të popullit të Kosovës. Ky ishte momenti i kthesës për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Në këtë Universitet u kultivuan vlera të larta kombëtare dhe buruan iniciativa që formësuan synimin e drejtë dhe historik për pavarësi të shtetit të Kosovës”, theksoi zv/ ministri Geci. 

Zv/ ministri Geci po ashtu ka thënë se, emri i intelektualit dhe patriotit të cilin e mbanë Universiteti i Prishtinës, është dëshmi që populli ynë ka lindur dhe rritur intelektual të etur për dije dhe shkollim. 
Në ceremoninë e shënimit të 48 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” morën pjesë figura të rëndësishme të vendit, ambasadorë, rektorë, përfaqësues të AShAK-së, drejtues të UP-së, senatorë, profesorë, studentë etj.

Last modified: 24 Gusht, 2022