Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” ambasadorin amerikan, William Walker. Titulli i atribuohet motivacionit “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/01/325401590-569374371400539-2646385607845863568-n-1024x683.jpg)
Në ceremoninë e nderimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se, shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë atë çfarë ka bërë ambasadori Walker për Kosovën dhe historia e popullit tonë, tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin e tij dhe për rolin e kontributin e punës së tij.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/01/325414952-542232761191521-4596082349575509545-n-1024x683.jpg)
Kryeministri shtoi se deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se, ambasadori Walker e meriton titullin “Doctor Honoris Causa” jo vetëm pse me nderë e ndërgjegje të lartë i ka shërbyer kauzës sonë për liri dhe drejtësi, por sepse si sot 24 vite më parë, përmes fjalëve të tij, bota e kuptoi që Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë.
Ajo shtoi se, zëri i ambasadorit Walker i cili e tha të vërtetën, ishte kaq i rëndësishëm dhe ktheu vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për Kosovën.
Ambasadori Walker në janar të vitit 1999 denoncoi publikisht pamjet që kishte parë në Reçak pas masakrës së kryer nga forcat serbe. Deklaratat e tij për këtë masakër bënë bujë të madhe mediatike e politike.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/01/325455403-1252770862293499-8435397950165556959-n-1024x683.jpg)
Last modified: 18 Janar, 2023