MASHT

U VU GURTHEMELI I SHKOLLËS “FAN S.NOLI” NË KAMENICË

13 Mars, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë vënë gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S.Noli” në Kamenicë.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka uruar qytetarët e Kamenicës për fillimin e ndërtimeve të kësaj shkolle, si një premtim i përmbushur për krijimin e kushteve të mira për zhvillimin e procesit mësimor.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci uroi nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës duke e vlerësuar këtë një ditë të rëndësishme për arsimimin dhe shkollimin e nxënësve të Kamenicës.

Nagavci tha se, vendosja e gurëthemelit është një premtim i mbajtur, si pjesë e detyrës dhe përgjegjësisë për të krijuar kushte optimale arsimi dhe edukimi për të gjithë fëmijët në Republikën e Kosovës.

Ndër të tjera, Nagavci tha se, shkolla të tilla do të ndërtohen kudo nëpër Kosovë ku ka nevojë për të krijuar kushte të mira për mësim cilësor.

“Një shkollë e re sot është investimi më i mirë në njerëzit e së ardhmes. Kjo nënkupton më shumë mendje të ndritura nesër, e më shumë të rinj e të reja që do të japin kontribut të çmuar në të ardhmen e vendit”, tha ajo.

Ndryshe, objekti i shkollës “Fan Noli” ka një sipërfaqe në total prej 5,088.63 m², një hapësirë e konsiderueshme që do të akomodojë të gjitha nevojat dhe kërkesat e nxënësve dhe mësimdhënësve. Vlera e ndërtimit të objektit është 1,694.452.62 euro.

Last modified: 13 Mars, 2023

Comments are closed.