Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të sallës së edukatës fizike të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Katër dëshmorët”, në Ratkoc të Rahovecit.
Me këtë rast, ministri Bajrami është shprehur i kënaqur që sot në mënyrë solemne po bëhet vënia e gurthemelit të sallës së edukatës fizikë në një shkollë me traditë shumëvjeçare.
“Me ndërtimin e kësaj salle do të krijojmë kushte për një edukim më të mirë të fëmijëve tanë, në këtë fshat, i cili padyshim e ka merituar, sepse kjo shkollë tashmë po shënon 70 vjetorin e themelimit të saj”, theksoi ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri u shpreh se do të vazhdojmë të përmirësojmë infrastrukturën shkollore kudo në Kosovë, në mënyrë që t’i arrijmë synimet e përbashkëta që kemi për ngritjen e cilësisë në arsim.
Të pranishmit, me një fjalë rasti i kanë përshëndetur edhe ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar dhe ministri i Financave, z. Avdullah Hoti.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Idriz Vehapi ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për kujdesin për këtë shkollë dhe zgjerimin e përmirësimin e infrastrukturës shkollore në këtë komunë, por edhe kudo në Kosovë.
Last modified: 26 Gusht, 2022