25 Korrik 2019
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Heset Sahitit, zëvendësministrin e Administratës Publike, Sami Hajdaraj dhe kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e të objektit të ri të shkollës “Dëshmorët e Kombit”, në Vraniq të Suharekës.
Zv/kryeministri Limaj, me këtë rast, theksoi se ky është një investim i Ministrisë së Arsimit në vlerë mbi 1 milion euro dhe tha se ky fakt tregon që Vraniqi do ta ketë një shkollë siç e meriton ky fshat, siç e meritojnë mësimdhënësit dhe nxënësit. Ai uroi që ndërtimi i shkollës të përfundojë në afatin e paraparë dhe fëmijët të kenë standarde dhe kushte për mësim cilësor.
“E di që jemi vonuar me këtë projekt, por po vijmë me një investim të fuqishëm dhe shkolla e Vraniqit, besoj do të jetë një nga shkollat më të mira që do t’i ketë Kosova”, tha zv/kryeministri Limaj dhe theksoi se ky fshat e meriton këtë investim, sepse ka dhënë shumë për vendin, duke qenë se është fshat i intelektualëve, i dëshmorëve, fshat me traditë dhe histori.Ndërsa, kryetari Muharremaj, u shpreh mirënjohës për këto investime të rëndësishme që po i bën Ministria e Arsimit në këtë komunë.
Last modified: 10 Nëntor, 2022