Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë vënë gurëthemelin për ndërtimin e çerdhes në lagjen “Qarku 1” në Gjilan, e cila është investim i MASHTI.
Me këtë rast, ministrja Nagavci theksoi se ndërtimi i kësaj çerdheje është
projekt i rëndësishëm infrastrukturor që i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të ambientit edukativo-arsimor në qytetin e Gjilanit, ndërsa theksoi se ky objekt do të ketë kapacitet për të akomoduar 120 fëmijë të moshës 9 muajsh deri në 5 vjeç.
Zgjerimi i insfrastrukturës, tha ministrja Nagavci, mundëson përfshirjen e një numri më të madh të fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme, që është edhe prioritet i kësaj qeverisje.
Ndërkaq, ministrja foli edhe për rëndësinë që ka edukimi në këtë periudhë të jetës për fëmijët. “Fëmijët tanë meritojnë ambient të sigurt e stimulues qysh në vitet e para të jetës, sepse kështu krijohet bazë e qëndrueshme për rritjen dhe zhvillimin e tyre të plotë e të barabartë”, theksoi ajo.
Ministrja Nagavci tha se do të vazhdojnë investimet në këtë drejtim, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunat dhe i ftoi ato që t’i dërgojnë në Ministri të gjitha të dhënat.
Çerdhja do të ketë sipërfaqe 1552.16 metër katrororë, ndërsa vlera totale për ndërtimin e saj është 710.995.62 euro.
Gjatë ditës së sotme, ministrja Nagavci bashkë me kryetarin Hyseni kanë vizituar edhe shkollën “Mehmet Isai”, ku kanë parë nga afër kabinetet e pajisura nga MASHTI, Komuna dhe donatorët.
Last modified: 19 Prill, 2023