Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci bashkë me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, Kordinatoren e për zhvillim të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson dhe Shefen e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Luzi-Nushi, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë me moton “E ardhmja ju takon grave dhe vajzave në STEM” theksuan mbështetjen e tyre të fuqishme në avancimin e vajzave dhe grave në fushën e shkencave natyrore dhe avancimin e politikave institucionale në këtë drejtim.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit tha se, parashikimi i Parlamentit Europian është që deri në vitin 2025 do të ketë nevojë edhe për 7 milion vende të reja të punës në STEM vetëm në Europë, e megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 3% e të diplomuarve në shkencat kompjuterike në botë janë gra, si dhe vetëm 35% të studentëve që ndjekin fushat STEM në arsimin e lartë.
Ministrja tha se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit janë duke u përpjekur që të ndryshohet kjo diskrepancë gjinore në STEM dhe po punohet fuqishëm për ngritjen e cilësisë dhe përfaqësim të barabartë gjinor në arsim, shkencë, teknologji e inovacion.
Nagavci rikujtoi se vitin e kaluar, MAShTI ndër të tjera ka ndarë 1,856 bursa elitare, ku përfitues ishin 74 djem dhe 130 vajza të cilat studiojnë në fushat STEM, ndërsa janë ndarë edhe 1,365 bursa nga 1,000 euro për vajza dhe gra të cilat studiojnë në fushat STEM.
Sipas ministres Nagavci, Këshilli Kombëtar i Shkencës, i cili është funksionalizuar së fundmi, do të përgatisë Planin e ardhshëm të Shkencës, i cili do të jetë dokument 5 vjeçar udhërrëfyes shtetëror për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shkencës në nivel vendi, përfshirë edhe aktivitete të cilat do të adresohen qartë dhe në detaje konkrete.
Ministrja Nagavci ftoi të gjitha gratë dhe vajzat që kanë dëshirë dhe potencial të bëhen pjesë e komunitetit shkencor të jenë të përkushtuara në përmbushjen e synimeve të tyre, ndërsa shtoi se për vitin 2021 çmimet për Shkencëtar të vitit dhe Shkencëtar të ri të vitit janë ndarë për Dr. Ibadete Bytyçi dhe Dr. Fjolla Kaçaniku, të dyja të dëshmuara me punën e tyre shkencore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu tha se, është e kënaqur që sheh një ministre të përkushtuar për të mbështetur gratë dhe vajzat në STEM, duke shtuar se, si Presidente e vendit mbështet përpjekjet e Ministres në përfaqësimin e barabartë gjinor në shkencë, teknologji dhe inovacion.
Kordinatorja për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson tha se, mbështetja që kishte marrë nga prindërit, veçanërisht nga babai gjatë shkollimit të saj, ishin esenciale që ajo të vazhdonte studimet në shkencë.
Last modified: 17 Maj, 2022