Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për nxënësit e shkollave të artit në Kosovë, pjesëmarrës në garën për skenarin më të mirë me temën: “Të gjithë në shkollë”.
Në këtë aktivitet, i cili është organizuar për të shënuar 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ministri Bajrami uroi të gjithë fëmijët në Kosovë për ditën e tyre. “Padyshim që është një ditë e veçantë, e cila neve na e kthen kujtesën te roli dhe vendi që kanë fëmijët tanë në shtetin tonë të ri”.
Jemi të zotuar, tha ministri Bajrami, që për fëmijët të sigurojmë arsimim cilësor, të sigurojmë një edukim pozitiv në frymën e tolerancës, sepse vlera më e madhe e vendit tonë janë fëmijët, apo të rinjtë.
Ministri foli për politikat që është duke i zhvilluar MAShT në disa fusha sa i përket fëmijëve, që janë: gjithëpërfshirja që nga kopshtet, thyerja e monotonisë së shkollës, që ato të jenë sa më tërheqëse dhe fëmijët të arsimohen dhe të argëtohen njëkohësisht, kujdesi ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, ndaj fëmijëve të varfër, fëmijëve të komuniteteve të vogla, apo a
“MAShT ka vendosur që reformën në arsim ta bëj brenda shkollës, brenda klasës. Dëshirojmë që ta ngrisim cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies, në mënyrë që të krijojmë shkolla të forta edukative”, tha ministri Bajrami.
Ministri siguroi nxënësit se do të punohet me mësimdhënësit dhe prindërit e tyre që të ndërtojmë një sistem shumë më të mirë arsimor “t’ju japim një arsim evropian në mënyrë që vërtetë ju nesër të bëheni liderë të së ardhmes, ta ndërroni mentalitetin e shoqërisë dhe ta udhëheqni shoqërinë duke dhënë kontribute të veçanta”.
Ministri, më pas ka ndarë edhe çmimet për fituesit e garës. Skenari i vlerësuar më i miri nga ana e komisionit, ishte ai i nxënëses Edona Vllasaliu nga Shkolla e Mesme e Lartë e Artit Pamor në Gjilan. Ky skenar, është realizuar edhe në film të shkurtër, i cili u transmetua gjatë kësaj ceremonie.
Last modified: 29 Gusht, 2022