MASHT

U SHËNUA DITA E STUDENTËVE NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

1 Tetor, 2024

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi mori pjesë në shënimin e Ditës së Studentëve, të organizuar nga Parlamenti Studentor në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila sipas Statutit të ri është më 1 tetor.

Zëvendësministri Ademi me këtë rast theksoi rëndësinë historike të kësaj dite, duke kujtuar protestën e 1 tetorit 1997. Ai tha se ngritja e nivelit të arsimit është një prioritet për Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, pasi sipas tij, studentët janë një pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen e Ministrisë.

Zv/ministri Ademi ka theksuar përparimet e rëndësishme në sektorin e arsimit, veçanërisht në arsimin e lartë. Ai përmendi hartimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila synon të zhvillojë sektorin e arsimit në pesë vitet e ardhshme dhe përfshinë pesë objektiva kryesore që adresojnë çështjet kyçe në fushat prioritare.

Ndër të tjera, zëvendësministri Ademi përmendi marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e arsimit, e cila synon të forcojë lidhjet dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit në të dy vendet.

Prorektori për Kërkime Shkencore, Projekte dhe Inovacione, Avni Hajdari ka folur për rëndësinë e inovacionit dhe kreativitetit në përballjen me ndryshimet e shpejta të kohës sonë. Ai ka inkurajuar studentët të udhëheqin këto ndryshime dhe të përdorin të gjitha mundësitë për të ngritur nivelin e arsimit.

Ndërsa, kryetarja e Parlamentit Studentor, Blerta Zeqiraj ka theksuar rëndësinë historike të Universitetit të Prishtinës gjatë okupimit serb. Ajo përmendi se Universiteti u bë një qendër e rezistencës qytetare dhe se data 1 Tetor është simbol i qëndresës dhe luftës për të drejtat e studentëve.

Last modified: 1 Tetor, 2024