Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Tokës, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, mori pjesë në një aktivitet të organizuar në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Ky aktivitet kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të nxisë veprime konkrete për ruajtjen e tij, përmes përfshirjes aktive të institucioneve arsimore dhe komunitetit akademik.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Ademi theksoi se dita e sotme është një kujtesë për të gjithë se planeti ynë ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Ai veçoi mbjelljen e pemës së ullirit si simbol i paqes dhe qëndrueshmërisë, duke theksuar se ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët që fillon nga edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezave të rinj.
Zv/ministri Ademi theksoi gjithashtu se mbështetja e Ministrisë për Universitetin e Mitrovicës është bërë konkrete gjatë këtij mandati me investime mbi 880 mijë euro, që përfshinë rinovimin e objekteve universitare, furnizimin me pajisje laboratorike dhe inventar. Në tërësi, investimet e MASHTI-t në Komunën e Mitrovicës gjatë këtij mandati kanë arritur mbi 3.4 milionë euro, duke përfshirë ndërtimin e shkollave dhe çerdheve si dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese.
Ndër të tjera, zëvendësministri Ademi vlerësoi rolin e rëndësishëm të Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës, veçanërisht në trajtimin e problematikave mjedisore, proceseve të nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve, si dhe adresimit të rreziqeve ekologjike që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka ka theksuar rëndësinë e hulumtimeve shkencore në Fakultetin e Gjeoshkencave, duke i cilësuar ato si një bazë të fortë për ndërtimin e politikave mjedisore të bazuara në fakte. Ai gjithashtu ka njoftuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të lansojë zyrtarisht Raportin e Gjelbërt, një iniciativë që u mundëson qytetarëve të raportojnë krimet mjedisore dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit.
Ndërsa, rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Nyrten Deva theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, duke falënderuar pjesëmarrësit për angazhimin e tyre në diskutimin shkencor dhe mbjelljen simbolike të pemës së ullirit. Ajo ka vlerësuar punën e Fakultetit të Gjeoshkencave, që vazhdimisht kontribuon në kërkime mbi ndotjen mjedisore dhe mbrojtjen e ekosistemeve.


Last modified: 22 Prill, 2025