Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë , ka organizuar promovimin e 6 doracakëve të autorit, Prof. Dr. Basil Schader, profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut – Zvicër.
Ky produkt didaktik, dedikuar mësimit të gjuhës dhe të kulturës së origjinës të nxënësve të komuniteteve që kanë migruar, paraqet shembullin e parë të këtij lloji për mësimin plotësues në diasporë, njëkohësisht vlerësohet se është me shumë interes edhe për mësimin modern të gjuhës amtare dhe të ndërtimit të kompetencave ndërkulturore edhe në shkollat e Kosovës.
Zenun Halili, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka falënderuar autorin e doracakëve, z. Basil Schader, për angazhimin e tij të çmuar në fushën e shkencave albanologjike, si dhe Qeverinë Zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme që po u bënë proceseve edukativo-arsimore në Kosovë, si dhe për organizimin e Mësimit Plotësues për mërgatën tonë në Zvicër.
Ndërsa, znj Anita Schluchter, zëvendësambasadore Zvicrës në Kosovë tha se mësimi i gjuhës së origjinës është shumë i rëndësishëm për mërgatën kudo në botë dhe se ky komplet didaktik iu mundëson atyre që më lehtë të mësojnë gjuhën dhe kulturën e origjinës dhe që të jenë më të kompletuar në jetë.
Autori z. Basil Schader, gjithashtu tha se ndjehet i lumtur që ka pasur mundësinë të bëjë diqka më shumë në fushën e dijes, për të rinjtë shqiptar, por edhe të tjerë që jetojnë në Zvicër apo kudo në mërgim.
Ndërsa, Nuhi Gashi, zyrtar për Mësimin Plotësues në Diasporë në MAShT, prezantoi biografinë e autorit të teksteve, për të cilin tha se është personalitet i shquar i shkencës, i cili me përkushtim dhe punë të palodhshme ka arritur të marrë dy doktoratura, një në shkencat e gjermanishtes dhe një shkencat albanologjike.
Ndryshe, ky komplet materialesh didaktike, është i përbërë nga 6 doracakë për mësues me tituj: 1. Bazat dhe arsyet, 2. Strategji dhe teknika të të mësuarit, 3. Përkrahja e të shkruarit në gjuhën e parë, 4 Përkrahja e të lexuarit në gjuhën e parë, 5. Përkrahja e komunikimit gojor, 6. Përkrahja e kompetencave ndërkulturore. Këta doracakë janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera dhe ju shërbejnë nxënësve për mësimin e gjuhës së origjinës kudo në botë, ndërsa botimi i kompletit është realizuar nga SHLP e Cyrihut .
Last modified: 30 Gusht, 2022