Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e promovimit të fjalorit enciklopedik të autorit Hajrullah Koliqi, me ç’ rast ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme për arsimin në Kosovë dhe për fushën e edukimit në tërësi.
Ministrja Nagavci ka përgëzuar profesorin Koliqi për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në hartimin e këtij fjalori dhe e ka falënderuar atë për një kontribut kaq të çmuar për fushën e arsimit dhe të edukimit në tërësi.
Ajo ka theksuar se, edukimi është shtylla bazë e avancimit të shoqërisë dhe garancia më e mirë për zhvillimin e vendit.
“Në këtë periudhë plotë ndryshime të shpejta edhe edukimi duhet të ecë në hap me kohën”, ka thënë ajo, duke shtuar se, një fjalor i tillë ka vlerë historike për zhvillimin e edukimit në vendin tonë.
Ndër të tjera, ministrja tha se, ky botim është rezultat i dy dekadave kërkime shkencore nga profesori i nderuar dhe po ashtu, është rezultat i dyzet viteve karrierë profesionale, të cilën ai ia ka kushtuar historisë dhe praktikës së edukimit.
“Fjalori është i dedikuar për një gamë të gjerë lexuesish, meqenëse është konceptuar si burim i rëndësishëm për ekspertë të edukimit dhe arsimit, por edhe për mësimdhënës e prindër, dhe të gjithë ata/ato që duan të mësojnë më shumë rreth kësaj fushe”, u shpreh ministrja Nagavci.
Fjalori enciklopedik me dy vëllime të plota është botuar nga Fakulteti i Edukimit (UP), përkrahur nga MAShTI.
Last modified: 20 Dhjetor, 2022