MASHT

U prezantuan rezultatet e projekteve të Erasmus+ për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë

4 Dhjetor, 2024

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi dhe shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Johannes Madsen në konferencën e sotme për media, prezantuan rezultatet e projekteve të Erasmus+ për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë.

Zëvendësministri Ademi me këtë rast tha se, nga viti 2015 Erasmus+ ka qenë programi kryesor i Bashkimit Evropian, i cili ka hapur dyert për mundësi të panumërta, përmes zyrës së Erasmus+ në Kosovë, në fushën e bashkëpunimit mes organizatave vendase dhe ndërkombëtare në arsimin e lartë, si dhe në arsimin dhe aftësimin profesional.

Ndër të tjera, zv/ministri Ademi bëri të ditur se, nga viti 2015 mbi 10 mijë studentë dhe staf akademik/administrativ kanë lëvizur nga Kosova në Evropë dhe anasjelltas përmes Programit të mobilitetit të kredive apo shkëmbimeve afatshkurtëra të programit Erasmus+, ndërsa mbi 50 bursa Masteri janë dhënë në kuadër të programit Erasmus Mundus.

Duke folur për rëndësinë e projekteve të Erasmus+ për zhvillimin, modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, zëvendësministri Ademi, bëri të ditur se, në periudhën 2015-2024, institucionet e arsimit të lartë në Kosovë kanë fituar 75 projekte për Ngritjen e Kapaciteteve në Fushën e Arsimit të Lartë dhe 11 institucione të arsimit të lartë kanë fituar Kartën Erasmus të Arsimit të Lartë.

Ndërsa, shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Johannes Madsen tha se, ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, 63 studentë nga Kosova kanë marrë bursa të përbashkëta për diplomën master Erasmus-+, një arritje që nxjerr në pah përsosmërinë dhe ambicien e rinisë së Kosovës, ndërsa foli edhe projektet e përfituara nga institucionet e arsimit të lartë, përfshirë ato për zhvillimin institucional, por edhe për nxitjen e reformave transformuese në sektorin e arsimit.

Last modified: 4 Dhjetor, 2024