Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim të ngushtë me Heras Plus dhe Researchcult prezantuan konceptin, vizionin dhe qëllimet afatgjata dhe afatshkurtra të sistemit KRIS.
KRIS (Kosova Research Information system) apo Sistemi Informativ i Kosovës për Kërkime Shkencore do të shërbejë si një platformë për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave për kërkime shkencore, por edhe si një mekanizëm rregullator në ofrimin e informacionit më të standardizuar në hulumtim.
Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna me këtë rast ka theksuar se, pilotimi i KRIS është sukses i përbashkët i të gjithëve dhe pikë e rëndësishme e ecjes përpara në fushën e kërkimit dhe inovacionit. Pilotimi i KRIS, shtoi ajo, vjen në një kohë shumë të qëlluar sepse tani po finalizohet edhe Programi Kombëtar i Shkencës që shpejt pritet të miratohet në Qeveri. Maloku Bërdyna tha se të kombinuar, KRIS dhe Programi Kombëtar i Shkencës të shënojnë një hap të rëndësishëm për promovimin dhe fuqizimin e kërkimit shkencor dhe të inovacionit në vend.
Ndërsa, Sandra Horina, shefe e Zyrës Austriake për Zhvillim dhe Bashkëpunim tha se, pilotimi i KRIS i kontribuon punës kërkimore shkencore dhe është një prej indikatorëve të zhvillimit të standardeve të larta në këtë sektor.
Ndryshe, KRIS ofron mundësinë e gjenerimit të rezultateve të të dhënave kërkimore për MAShTI-n, hulumtuesit, studentët, politikëbërësit dhe grupe të tjera të interesit si: Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim. Pilotimi me institucionet e përzgjedhura në mostër do të bëhet në periudhën në vijim, ndrësa pas pilotimit KRIS do të lansohet për përdorim të gjërë të institucioneve dhe profesionistëve në vend e në diasporë.
Last modified: 18 Janar, 2023