Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka prezantuar sot fillimin e procesit të rishikimit të teksteve dhe materialeve mësimore për klasat I-IX.
Procesi i rishikimit të teksteve shkollore do të udhëhiqet nga Ministria e Arsimit dhe do të mbështetet nga projekti KosEd, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Ministrja Arbërie Nagavci, tha se në këtë fazë, rishikimi i teksteve shkollore për përmirësimin e cilësisë së tyre do të fillojë me tekstet e lëndëve të Gjuhës Shqipe dhe Matematikës të klasës 1 – 9, për të vazhduar me lëndët dhe fushat e tjera kurrikulare.
Ministrja Nagavci theksoi se, ky proces do të ketë efekt të menjëhershëm tek puna e përditshme në shkolla, e rrjedhimisht edhe në rezultatet e të nxënit, duke qenë se teksti është një nga burimet kryesore të informatës në vendin tonë.
Duke folur për sfidat dhe problemet në lidhje me tekstet shkollore ndër vite, ministrja Nagavci tha se, cilësia e teksteve shkollore në një vend ka kapacitetin që të ndikojë, në plan afatgjatë, në cilësinë e jetës dhe zhvillimit në atë vend.
Ndër të tjera, Nagavci theksoi se, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, mediat dhe akterë të tjerë kanë adresuar ankesa të shumta lidhur me cilësinë e teksteve shkollore, të cilat edhe do të shërbejnë si pikënisje e punës për rregullimin e lëshimeve të bëra.
Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja tha se Ministria e Arsimit ka bërë një hap të madh me fillimin e një procesi kaq të rëndësishëm dhe me finalizimin e Ligjit për Tekste Shkollore, ndërsa bëri të ditur se metodologjia e procesit të rishikimit është ndërtuar mbi gjendjen e vërtetë të cilësisë dhe teksteve dhe ofrimin e rekomandimeve të cilat do të nxisin përmirësimin e tyre.
Last modified: 13 Prill, 2023