Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përuruan shkollën “Musli Dumoshi” në Dumosh dhe shkollën “Ali Hadri” në Obrançë të Podujevës, të cilat janë investim i komunës dhe kanë kushtuar mbi një milion euro.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, nëna e veprimtarit Ali Ajeti, prindër, mësimdhënës e nxënës të shumtë. Kryeministri Albin Kurti ka uruar pjesëmarrësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke thënë se, ky është muaji i rifillimit të rrugëtimit të përbashkët të mësimdhenësve, prindërve, nxënësve dhe të institucioneve të shtetit, për një të ardhme që pasqyron vlerat më të mira të kombit tonë.
Kurti tutje tha se, për të përmirësuar kushtet arsimore dhe për të ngritur cilësinë në arsim, çdo vit e kemi rritur buxhetin për arsim, kemi bërë subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore për të dytin vit me radhë dhe kemi bërë rritjen e shtesave për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, në mënyrë që të mbështesim familjet.
Ministrja Nagavci tha se, është kënaqësi që është pjesë e përurimit të shkollës “Musli Dumoshi”, si një qendër e dijes, me hapësira dhe kushte moderne për mësim’ e cila mbanë emrin e veprimtarit të shquar të kësaj ane.
Nagavci bëri të ditur se kjo Qeveri ka dhënë mbështetje të jashtëzakonshme për të ndërtuar kopshte dhe shkolla, në mënyrë që nxënësit tanë të rriten dhe të mësojnë në ambiente me standarde evropiane.
Ndërsa, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi shprehu kënaqësinë për hapjen e dyerve të shkollave të këtyre dy fshatrave dhe tha se është investim i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve.
Last modified: 5 Shtator, 2024