Objekti i ri shkollës profesionale “Andrea Durrsaku” në Kamenicë, i cili është përuruar sot, është investim i kompanisë Euro Sky CO nga Shteti i Kuvajtit, me ndërmjetësim të organizatës “Qendresa Kosovare” dhe mbështetjes së Ministrisë se Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Me këtë rast, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur në forcimin e arsimit, si bazë për zhvillimin e shoqërisë, ndërsa tha se për të bërë këtë kemi prioritizuar reformën e duhur në të gjitha nivelet e arsimit për vitet në vijim.
“Arsimi dhe aftësimi profesional është shtyllë e rëndësishme e çdo shteti, sepse kontribuon fuqishëm në zhvillimin ekonomiko-social të një shoqërie dhe vendi”, tha zv.ministrja, ndërsa theksoi zotimin për të përafruar kualifikimet e arsimit dhe aftësimit profesional drejt nevojave të tregut të punës përmes inicimit të arsimit dual dhe aktiviteteve te tjera, ndër të cilat fillimi i pilotimit të arsimit dual në katër profile.
Pasi falënderoi donatorët, zv.ministrja Maloku Bërdyna theksoi se ky investim do t’i ofrojë të rinjve të komunës së Kamenicës të zgjedhin nga programet e shkollës “Andrea Durrsaku” dhe në të njëjtën kohë të zhvillohen profesionalisht në hapësirat e kësaj shkolle.
Last modified: 31 Janar, 2023