Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, ministri i Arsimit, z. Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Idriz Vehapi kanë përuruar sot objektin e ri të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Opterushë të Rahovecit.
Me këtë rast, ministri Bajrami përgëzoi kryetarin e Komunës për ndërtimin e kësaj shkolle dhe tha se ky është model i mirë i kujdesit për banorët e këtij fshati, sepse sot po përurohet një shkollë moderne, një shkollë ku fëmijët do të marrin edukim cilësor.
Ministri Bajrami theksoi se MAShT do ta mbështetë Komunën e Rahovecit me shkolla tjera. “Si Qeveri e Kosovës jemi të obliguar që të punojmë për juve, bashkë me juve, që të rinjve tanë t’ju krijojmë kushte që ata të edukohen në paqe, në liri, të krijojmë një gjeneratë, e cila nesër do të marrë përsipër edhe përparimin e përgjithshëm të shtetit tonë”, tha ministri Bajrami dhe uroi mësimdhënësit, prindërit e nxënësit për shkollën e re.
Ministri Bajrami përmendi faktin se po ndërtohen dhe tha se do të ndërtohen edhe shumë shkolla tjera, në mënyrë që fëmijve t’ju ofrohet një mësim cilësor. “Mendoj se ka një vullnet edhe të mësimdhënësve, edhe prindërve dhe nxënësve që ne mund të punojmë për të ndëruar një sistem cilësor të edukimit”, tha Ministri.
Kryetari i Kuvendit, z. Veseli theksoi se kjo është një shkollë e bukur, por tha se do të vazhdohet gjithandej Republikës së Kosovës që të gjitha shkollat të kenë objekte të tilla dhe mësimi të zhvillohet vetëm me një ndërrim. “Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë që në çdo shkollë të Republikës së Kosovës sa më shpejt të kenë kabinete të informatikës”, tha kryetari Veseli.
Last modified: 29 Gusht, 2022