MASHT

U PËRURUA OBJEKTI I RI I SHKOLLËS “EDMOND HOXHA” NË JUNIK

14 Shkurt, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu dhe drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Edmond Hoxha” në Junik, Bekim Gaxherri, në praninë e zyrtarëve të MAShTI, zyrtarëve të komunës, familjarëve të heroit të kombit, emrin e të cilit e mbanë shkolla, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve të shumtë, përuruan sot objektin e ri të kësaj shkolle, i cili është investim i Ministrisë së Arsimit.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, ndihet e nderuar që në shoqërinë e bashkëpunëtorëve nga Ministria e Arsimit, po përuron objektin e ri të shkollës në Junik, e cila mbanë emrin e heroit të kombit, personit të jashtëzakonshëm dhe të veçantë, Edmon Hoxha.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se, ky projekt i financuar nga Ministria e Arsimit, i cili ka kushtuar rreth 1.5 milion euro do të ofrojë ambiente të përshtatshme dhe moderne për zhvillimin e procesit mësimor, për 492 nxënësit e shkollës, mësimdhënësit dhe stafin tjetër.

Nagavci tha se, si ministre e Arsimit është zotuar që do të krijojë kushte më të mira për çdo nxënës në Republikën e Kosovës, përfshirë infrastrukturën fizike, inventarin, pasisjet e konkretizimit të mësimit dhe mjetet tjera të nevojshme, për zhvillimin e një ditë mësimore sa më produktive.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu tha se, me përurimin e shkollës së re po plotësohen nevojat e kahmotshme për të krijuar kushte më të mira për mësim. Shehu falënderoi MAShTI-in për mbështetjen e vazhdueshme në rregullimin e infrastrukturës shkollore, e cila reflekton në përmirësimin e cilësisë në arsim.

Ndryshe, objekti i ri i shkollës përbëhet nga 25 klasa të cilat përfshijnë, 3 klasa për para fillor, sallën për drejtor dhe sallën e arsimtarëve, kabinetet për IT dhe Biologji, tre laboratorë, ngrohje dhe hapësira të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 5700 m2.

Last modified: 29 Shkurt, 2024