Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, kanë përuruar Konviktin nr. VIII në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Me këtë rast, ministri Bytyqi uroi studentët që do ta kenë mundësinë që të akomodohen në këtë konvikt të ri dhe modern, i cili ofron 150 dhoma për studentët e Universitetit të Prishtinës.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se “nga sot ky konvikt modern do të jetë në dispozicionin tuaj, të dashur studentë , sepse është obligim i yni që të sigurojmë kushte sa më të mira që ju të keni vetëm një obligim: të tregoni sa më shumë rezultate të mira në studime. Rezultati i juaj, në fakt, është njësi matëse për cilësinë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Por, ky rezultat është shumë më shumë se kaq, sepse puna juaj në studime do të thotë shpresë për vendin ”.
Në vazhdim, ministri Bytyqi theksoi se edhe në të ardhmen nuk do të mungojë angazhimi ynë që hapësirat e banimit të zgjerohen dhe krahas kësaj të përmirësohen edhe shërbimet tjera, në mënyrë që studentët të ndihen komod gjatë kohës së studimeve.
Ministri Bytyqi duke uruar që studentët, të cilët do të vendosen në këtë konvikt ta shfrytëzojnë sa më mirë gjatë punës së tyre studimore, i porositi ata që të mos rreshtin duke kërkuar studime cilësore dhe shërbime sa më të mira në Qendrën e Studentëve, e cila ka për obligim që ta bëjë një gjë të tillë.
Last modified: 24 Gusht, 2022