Është përmbyllur të hënën faza e parë e pilot programit “Arti në shkolla” përmes 8 aktiviteteve në të cilat kanë marrë pjesë mbi 200 fëmijë nga Komuna e Gjilanit.
Në një tryezë të organizuar nga MKRS, u diskutua në lidhje me veprimet e nevojshme për të siguruar zbatimin e qëndrueshëm të këtij programi dhe rëndësinë e tij në pasurimin e jetës artistike të nxënësve.
Ministri Hajrulla Çeku theksoi nevojën për mobilizimin dhe angazhimin e plotë të të gjitha palëve që programi të zhvillohet si aktivitet plotësues dhe në shërbim të kurrikulës shkollore, si dhe të përfshihet në programin e rregullt të institucioneve qendrore e lokale të artit dhe trashëgimisë kulturore dhe në buxhetin e tyre vjetor.
Po ashtu, përmendi planet e shtrirjes së programit edhe në komunat tjera, duke përfshirë Mitrovicën, Pejën, Graçanicën dhe Prishtinën. Në këtë tryezë morën pjesë zëvendësministri i MAPL, Avdulah Dješević, shefja e kabinetit në MKRS, Klodeta Krasniqi, këshilltarja e Ministres së Arsimit, Laura Lutfiu Hoxha, përfaqësues të institucioneve kulturore, të trashëgimisë kulturore dhe atyre shkollore.
Vitin e ardhshëm synohet të ketë aktivitet të rregullt javor si pjesë e integruar e aktivitetit shkollor për 50,000 nxënës.
Last modified: 27 Qershor, 2023