Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për dhënie në shfrytëzim të Inkubatorit të Biznesit, në Bërnicë, e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK).
Ministri Bytyqi në fjalën e tij të rastit theksoi se, nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është një moment i ri bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, në avancimin e ndërmarrësisë dhe zhvillimit ekonomik në vend.
Ministri Bytyqi pasi uroi MTI-në dhe STIKK-un për këtë ndërmarrje të përbashkët, theksoi se Inkubatori i Biznesit është një institucion shumë i rëndësishëm edhe për Ministrisë e Arsimit, sidomos sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të universiteteve tona, në ngritjen dhe vënien në treg të ideve inovatore.
“STIKK dhe ky inkubator duhet të ofrojnë baza të tilla zhvillimore, të cilat mundësojnë që iniciativat e reja nga universitetet, shoqatat e profesorëve dhe të studentëve, si dhe qendrat hulumtuese, të gjejnë një pikë mbështetëse profesionale për zhvillim dhe dalje në treg”, është shprehur ministri Bytyqi.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se, MAShT është shumë e interesuar për mbarëvajtje të punës së këtij Inkubatori, ngase konsideron se me atë të tij do të arrihen ide të reja, të cilat do të kenë një derë hapur për ecje përpara.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valmir Lluka dhe Vjollca Çavolli, drejtore ekzekutive e STIKK.
Last modified: 25 Gusht, 2022