MASHT

U mbajt tryeza me temën “Lidhja e reformave në arsimin e lartë me Procesin e Bolonjës…”

8 Shtator, 2010

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Zyra e Ndër-Kulturalizmit dhe Procesit te Bolonjës, projekt ky i përbashkët i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian dhe Këshillit të Këshillit të Evropës, kanë organizuar një tryezë të rrumbullaktë me pjesëmarrje të ekspertëve ndërkombëtarë të arsimit të lartë.

Të ftuar kanë qenë ekspertë të njohur të Këshillit të Evropës, profesor Pavel Zgaga, ekspert i arsimit të lartë, zëvendës president i konferencës diplomatike të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës për Adaptimin e Konventës për Njohjen e Kualifikimeve që kanë të bëjnë me Arsimin e Lartë në rajonin e Evropës dhe ish Ministër i Arsimit dhe Sportit i Republikës së Sllovenisë. Prof. Zgaga ka qenë i shoqëruar edhe nga Philippe Restoueix nga Departamenti për Arsim të Lartë i Këshillit të Evropës në Strasburg, Francë.
Në fillim, ministri ofroi për të pranishmit një pasqyrë të shkurtër të aktiviteteve dhe te arrituarve të MASHT-it në fushën e arsimit të lartë, me theks të veçantë në sigurimin e cilësisë, hartimin e Kornizës Kombëtare të kualifikimeve, përfshirjen në arsimin e lartë, rishikimin e legjislacionit, etj.
Prof. Zgaga mbajti një prezantim me temën ” Lidhja e reformave në arsimin e lartë me Procesin e Bolonjës, duke përfshirë sigurimin e cilësisë, zhvillimin e Kornizës së kualifikimeve, pjesëmarrja e studentëve dhe dimensioni evropian i arsimit të lartë”. 
Duke theksuar sfidat që e presin arsimin e larte në periudhën 2010-2020 në nivel evropian, Prof. Zgaga konstatoi se Kosova edhe pse për shkaqe të njohura politike nuk është anëtare e Procesit të Bolonjës, ajo ka bërë hapa shumë të rëndësishme për implementimin e saj, prandaj kjo sipas prof. Zgagas hetohet në çdo aspekt në Kosovë. 
Prof. Zgaga krahasoi të arriturat e Kosovës me vendet e rajonit duke vënë në pah se Kosova qëndron një hap më përpara në disa komponentë kyçe të Procesit të Bolonjes, veçmas në fushën e sigurimit dhe kontrollit të cilësisë.
Me tutje, Prof. Zgaga numëroi disa nga sfidat e dhjetëvjeçarit në të cilin kemi hyrë, duke e vendosur në rend të parë sa i përket prioriteteve, zhvillimin e Kornizave te Kualifikimeve në të gjitha vendet e Evropës deri në vitin 2012.

Në diskutimin, të cilin ministri Hoxhaj e hapi pas prezantimit të Zgagas, u trajtuan më në detaje edhe çështje si njohja akademike si njëra nga fushat në të cilat duhet përqendruar vëmendje e shtuar, duke u nisur nga fakti i mobilitetit gjithnjë në rritje të studentëve dhe nevojës për këmbim sa më efikas të informatave akademike.

Në fund të takimit, ministri Hoxhaj shprehu kënaqësinë për konstatimet e prof. Zgaga, duke shprehur përkushtimin e tij dhe institucionit që e drejton, për të vazhduar reformat në arsimin e larte në përputhje me Procesin e Bolonjës dhe praktikat më të mira. 
Duke iu referuar të arriturave në këtë sektor, ministri Hoxhaj kërkoi përkrahjen e ekspertëve të pranishëm që Kosova edhe zyrtarisht të bëhet anëtare i Procesit të Bolonjës.

Last modified: 26 Gusht, 2022