Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën: “Dita e internetit të sigurt 2018 “, në kuadër të javës me moton “Një internet më i mirë fillon me ty“.
Me këtë rast, zëvendësministri Sahiti theksoi rëndësinë e edukimit të mirëfilltë të fëmijëve dhe të rinjve, rolin e internetit në këtë aspekt, si dhe nevojën e mbrojtjes së tyre nga përmbajtje joedukative, apo të dëmshme për formimin e personalitetit të tyre ndër vite.
Zëvendësministri Sahiti me këtë rast tha se, edhe MAShT-i me aktivitete të ndryshme vetëdijësuese i është bashkuar kampanjës së mbi 100 vendeve të botës për të shënuar Ditën e internetit të sigurt përmes kampanjave mediale, shpërndarje të broshurave për fëmijë, kuize diturie dhe përmbajtje të ndryshme për përdorimin e internetit në mënyrë të sigurt.
Në këtë kontekst, zv/ministri Sahiti përmendi hartimin e pakos së udhëzuesve nga MAShT titulluar “Udhëtimi nëpër internet”, si një material shumë i dobishëm për nxënës të klasave 3-5 dhe klasave 6-9 dhe udhëzues për prindër, që janë duke u përdorur në disa shkolla të Kosovës.
Zv/ministri Sahiti, gjithashtu tha se, do të angazhohemi me të gjitha kapacitete që kemi brenda institucioneve tona arsimore që fëmijët tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë për përdorimin e sigurt të internetit.
Last modified: 24 Gusht, 2022