Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në tryezën “Arsimi për punësim – roli i ndërmarrjeve në zhvillimin e shkathtësive”, e cila është organizuar nga MAShT në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve, odave ekonomike në vend, përfaqësues të ambasadave gjermane e franceze, drejtorë të drejtorive komunale të arsimit, si dhe partnerë ndërkombëtarë që mbështesin arsimin profesional.
Ministri Bajrami theksoi se kjo konferencë po mbahet për të treguar ndërlidhjen organike të sistemit të arsimit dhe punësimit.
“Defitivisht, Kosova ka një mundësi që duhet shfrytëzuar, e cila ka të bëj me krijimin e një gjenerate me shkathtësi dhe kompetenca, të cilat i kërkon komuniteti i biznesit”, theksoi ministri Bajrami, ndërsa përmendi faktin se tashmë Ministria e Arsimit e ka si prioritet të parë lidhjen e arsimit profesional me ekonominë.
Duke folur për orientimin se si e sheh MAShT lidhjen midis arsimit cilësor dhe punësimit, ministri Bajrami tha se investimi në edukim dhe arsim është investim në ekonomi. “Jemi fokusuar arsmi profesional, për një riorientim që duhet ta bëjmë te nxënësit dhe studentët, që ata të orientohen drejt profesioneve të caktuara”, tha ministri, ndërsa theksoi se për këto profesione do të ndërtojmë standarde të profesionit, gjë e cila mundëson edhe rishikimin e kurrikulave, në mënyrë që shkollat e mesme profesionale të profilizohen në ato profile për të cilat biznesi ka nevojë.
Ministri Bajrami falënderoi bizneset që po bëhen partner të Qeverisë në reformimin dhe zhvillimin e arsimit profesional, duke hapur dyert e bizneseve të tyre për përgatitjen sa më të mirë të të rinjve për tregun e punës, dhe duke i hapur kështu rrugë mësimit dual. Ai i ftoi të gjithë për partneritet në ndërtimin e kurrikulave për profesionet e caktuara, për të cilat kanë nevojë bizneset.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me MAShT dhe komunitetin e biznesit, në mënyrë që zhvillimi i arsimit dhe aftësimit profesional të sigurojë kuadro të përgatitura me kompetenca profesionale për punësim.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z, Safet Gërgjaliu, si dhe deputeti dhe biznesmenti, z. Ramiz Kelmendi vlerësuan angazhimin e MAShT për fuqizimin e zhvillimit të arsimit profesional si dhe krijimin e raporteve të mira ndërinstitucionale dhe komunitetit të biznesit në të mirë të arsimit cilësor dhe punësimit.
Last modified: 30 Gusht, 2022