Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në takimin e rregullt mujor (i pari për këtë vit) me drejtorët komunal të arsimit.
Me këtë rast, ministri Bajrami foli për prioritetet që ka për të gjitha nivelet e arsimit. Ai përmendi faktin se Qeveria e re do ta ketë arsimin si një nga prioritetet kombëtare, dhe kjo, siç u shpreh ministri, kërkon angazhimin maksimal të përbashkët.
Ministri Bajrami tha se bazë e angazhimeve të tij do të jetë ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit. Ministri, po ashtu ritheksoi se MAShT do të merret vetëm me politikat arsimore, ndërsa çështja e ndërtimit të objekteve shkollore do të bartet te komunat.
Ndërkaq, ministri Bajrami kërkoi përkushtimin e të gjitha palëve, duke përfshirë edhe DKA-të, për implementimin e suksesshëm të Kurrikulës së re të Arsimit Parauniversitar.
“Dëshiroj që të kemi shkolla, të cilat do të mundësojë që fëmijët tanë të aftësohen për jetë. Të angazhohemi për shkolla humane, ku do të ketë pedagogë, psikologë, mjekë dhe ambient të shëndoshë, dhe si rezultat të kemi mësim cilësor”, tha ministri Bajrami.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, ministri përmendi edhe çështjen e implementimit të Kontratës Kolektive për sektorin e arsimit, ku ritheksoi se pika e vetme e kësaj kontrate e mbetur ende pa u realizuar është shujta ditore, për të cilën theksoi se po punohet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
Last modified: 30 Gusht, 2022