MASHT

U mbajt takim publik për ndërtimin e shkollës “model”

18 Janar, 2012

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes projektit të Bankes Botërore IDEP ka bërë Udhëzuesin për projektimin e hapësirave shkollore – normat dhe standardet. Në bazë të tyre është projektuar një shkollë “model”, e cila do të ndërtohet në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit, lokacion ky i përzgjedhur nga Komuna e Prishtinës.

MASHT-i sot ka organizuar një takim publik, ku është diskutuar për ndikimin që do të ketë në mjedis shkolla “model”. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe dy këshilltarët e ministrit Buja, Ilmi Ramadani dhe Ragip Gjoshi.

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari Gjoshi, i cili në emër të ministrit ndër të tjera falenderoi donatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit që e bëjnë të mundur realizimin e këtij projekti. Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të shkollave të tilla. “Bota po investon në ambinet dhe Qeveria e Kosovës e ka treguar përkushtimin e saj për krijimin e një ambineti sa më të mirë për nxënësit tanë dhe kjo shkollë jo vetëm që do të jetë model në Kosovë, por ajo do të jetë model edhe për rajonin”.

Gjoshi theksoi se ky projekt është vendosur që të realizohet në lagjen “Arbëria” në mënyrë që t’i kontribuoj mjedisit të asaj pjesë të qytetit krahas edukimit që do të ofrojë. Ai theksoi po ashtu rëndësinë e ambientit për krijimin e individëve të shëndoshë dhe tha se shpreson që edhe komunat tjera do të ndihmojë në realizimin e modeleve të tilla të shkollave.

Fadile Dyla, drejtoreshë e Infrastrukturës në MASHT, prezantoi draft udhëzuesin dhe kërkoi nga të pranishimit që të dërgojnë vërejtjet dhe sygjerimet e tyre edhe në formë elektronike, para se ky udhëzues të marrë formën përfundimtare.

Last modified: 29 Gusht, 2022