MASHT

U mbajt Simpoziumi i Parë i Teknologjisë Mjekësore në Kosovë

11 Dhjetor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia morën pjesë në Simpoziumin e Teknologjisë Mjekësore, i pari i llojit të vet në Kosovë dhe në rajon, i organizuar nga MAShTI dhe MSh.

Ky Simpozium ka bërë bashkë mjekë specialistë, profesorë, kirurgë dhe përfaqësues të industrisë së teknologjisë mjekësore nga Mbretëria e Bashkuar, krahas profesorëve, mjekëve dhe specialistëve të fushës nga Kosova.

Ministrja Arbërie Nagavci, me këtë rast ka thënë se, që nga marrja e mandatit qeverisës, në Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë e Kosovës është punuar shumë drejt përmirësimit të jetës në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe me Ministrin Vitia në veçanti, u vendos të organizohet ky Simpozium.

Ministrja Nagavci tha se, vlerëson fatin se është arritë të mblidhen bashkë personalitete të fushave mjekësore nga tërë Kosova, si dhe mysafirë specialë – profesorë, kirurgë e hulumtues nga universitete prestigjioze të Mbretërisë së Bashkuar, disa prej të cilëve për herë të parë vijnë në Kosovë dhe do të kenë rastin që të krijojnë lidhje të forta me vendin tonë, qoftë profesionalisht, qoftë personalisht.

Në këtë drejtim, ministrja Nagavci ka vënë theks të shtuar tek ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, përmes universiteteve tona publike, por edhe te ofrimi i mbështetjes së vajzave përmes bursave STEM, me qëllim që të inkurajohen vajzat të zhvillojnë potencialin e tyre në fusha tradicionalisht të mbizotëruara nga djemtë, por njëkohësisht edhe të krijohet hapësira që inxhinieret e ardhshme të kontribuoujnë në adresimin e nevojave edukative dhe shëndetësore të qytetarëve tanë.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për arritje të tjera që janë shënuar në arsimin e lartë, përfshirë rikthimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA si anëtare e asociuar, duke zgjeruar dukshëm hapësirat për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, miratimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit, lirimin e studentëve nga pagesat semestrale dhe mbështetjen e tyre financiare përmes bursave.

Në fund, Ministrja vlerësoi se, Kosova ka një rini jashtëzakonisht vitale që po shënon suksese në tërë botën – siç është bashkideatorja e ngjarjes dhe bashkëpunëtorja e shkëlqyer Edona Hyla, e cila ka dhënë kontribut të çmuar në organizimin e këtij Simpoziumi.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se, ky Simpozium është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë të gjitha eksperiencat e fundit në këtë fushë dhe gjithashtu për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që paraqiten para nesh. Ai gjithashtu tha se, Ministria e Shëndetësisë e mbështet zhvillimin dhe aplikimin e teknologjisë së avancuar mjekësore, për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor në vend.

Last modified: 11 Dhjetor, 2024