Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në Konferencën “Zhvillimi i sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë – qasjet sistematike dhe institucionale”, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Ministri Bajrami, me këtë rast e vlerësoi si të rëndësishme këtë Konferencë, e cila ka në fokus rritjen e standardeve të funksionimit të AKA-së, si një nga institucionet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës në ndërtimin e standardeve të cilsësisë.
Ministri Bajrami theksoi se, Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës në funksion të pavarësisë së plotë të saj, përcaktimit të standardeve të larta ndërkombëtare për cilësi në arsimin e lartë dhe përfshirjen sa më të shpejtë të Kosovës në Zonën evropiane të arsimit të lartë dhe përmbushjen e standardeve që dalin nga procesi i Bolonjës.
Ministri Bajrami, ndër të tjera tha se, AKA ka përgjegjësi sa i përket anëtarësimit në EQAR, në përmbushjen e standardeve për të qenë konkurrent me agjencitë tjera, të cilat janë pjesë e Rrjetit të agjencive evropiane për sigurimin e cilësisë.
Ministri Bajrami, po ashtu tha se, tri nga prioritetet e AKA-së janë: krijimi i universiteteve të forta dhe kredibile, profilizimi i tyre dhe zhvillimi sektorit privat të arsimit të lartë.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler tha se, Austria është një ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë në fushën e arsimit të lartë, sidomos në mbështetjen e punës së AKA-së, si një institucion i rëndësishëm në sigurimin e cilësisë.
Ndërsa, për rëndësinë e AKA-së në sigurimin e standardeve të cilësisë në fushën e arsimit të lartë dhe funksionimin e saj të pavarur dhe profesional, foli edhe drejtori i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), z. Colin Tuck.
Last modified: 29 Gusht, 2022