Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në hapjen e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temë “Vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin para universitar në Kosovë, përvojat dhe perspektivat”, të organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.
Qëllimi i kësaj Konference është të analizohen dhe diskutohen përvojat, gjendja aktuale dhe sfidat e arsimit para universitar në Kosovë.
Ministrja Nagavci theksoi një pikë shumë të rëndësishme për rolin e arsimit para universitar në kontekstin e ndryshimeve të nevojshme në sistemin arsimor, duke u përshtatur me kërkesat e kohës dhe tregut të punës. Vlerësimi siç e përmendi ajo, është thelbësor për të evidentuar shkallën e njohurive të fituara nga nxënësit.
Ndër të tjera, ministrja Nagvci theksoi, përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit ndaj arsimit para universitar që nga marrja e mandatit para tre viteve. Ajo tha se, qasja shumëdimensionale dhe fokusimi në shtyllat prioritare të Strategjisë për arsim janë thelbësore për të arritur ndryshimet organike dhe të qëndrueshme në sistemin arsimor.
Ministrja Nagavci gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe hulumtuese për të ndarë praktikat më të mira dhe për të zhvilluar politikat efektive arsimore. Ajo përmendi disa nga iniciativat e fundit të Ministrisë për të mbështeture mësuesit dhe për të përmirësuar infrastrukturën shkollore.
Për rëndësinë e mbajtjes së kësaj Konference kanë folur edhe u.d. e Drejtorit të Institutit Pedagogjik të Kosovës, Ismet Potera, si dhe Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi.
Last modified: 23 Shtator, 2024